
Banorët e rrugës “Radohina” pas stacionit të trenit në qytetin e Shkodrës prej më shumë se 35 vitesh përballen me një rrugë të degraduar dhe të pashtruar, e cila në ditët me reshje shndërrohet në një problem serioz për lëvizjen dhe jetesën e tyre. Sipas tyre, niveli i ujit shpesh arrin deri në 60 centimetra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.
Ata shprehen se i janë drejtuar disa herë Bashkisë Shkodër për të kërkuar zgjidhje, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo plan konkret për ndërhyrje. Banorët shtojnë se gjatë fushatave elektorale u është premtuar disa herë shtrimi i rrugës, por deri sot asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.
Nëpërmjet një thirrjeje publike, banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa sa më shpejt, duke e konsideruar situatën të padurueshme dhe të rrezikshme, sidomos gjatë stinës së reshjeve.
Banorët e rrugës “Radohina” theksojnë se kërkojnë vetëm një përgjigje nga Bashkia Shkodër. Ata paralajmërojnë se, nëse institucionet nuk ndërhyjnë, janë të gatshëm ta shtrojnë vetë rrugën, vetëm për të mos u përballur më me gjendjen e vështirë që e kalojnë çdo ditë.






