
Rruga panoramike Shirokë–Zogaj po i nënshtrohet një transformimi të thellë, duke kaluar nga një aks i ngushtë dhe i amortizuar në një rrugë moderne, funksionale dhe të sigurt. Ky investim strategjik pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe në zhvillimin e turizmit përgjatë liqenit të Shkodrës. Banorët e zonës e kanë mirëpritur këtë ndërhyrje të shumëpritur, duke theksuar se perspektiva e zhvillimit tashmë ka nisur të ndjehet.
Aktualisht, punimet janë në një fazë të avancuar. Janë realizuar thuajse të gjitha gërmimet dhe mbushjet përgjatë gjatësisë së rrugës, ndërsa mbi 80% e strukturave mbajtëse janë drejt përfundimit. Traseja është e hapur në rreth 90% të gjatësisë, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin gjatë kohës së ndërtimit. Njëkohësisht, ka nisur vendosja e shtresave rrugore, ndërsa po vijon edhe sistemimi i ujërave të bardha, një masë kyçe për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet gjatë stinës së reshjeve. Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu zhvendosjen e linjave ekzistuese të tensionit dhe të ujësjellësit. Pjesë integrale e projektit është edhe ndërtimi i sistemit KUZ, që siguron kanalizimin dhe kullimin e ujërave. Deri më tani, është realizuar mbi 35% e kësaj linje. Rruga e re shihet si një projekt jetik që i jep fund dekadave të izolimit dhe e kthen zonën e Zogajve në një destinacion të aksesueshëm dhe të denjë për potencialin që mbart.