
MUNGESA E SINJALISTIKËS KRIJON PROBLEME PËR DREJTUESIT E AUTOMJETEVE. Mungesa e sinjalistikës rrugore vertikale është kthyer në një shqetësim të madh për personat që qarkullojnë në aksin nacional Shkodër-Muriqan.
Madje jo vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe për ata të huaj që qarkullojnë natën nëpër këtë rrugë, që kur hyjnë në kufi e derisa mbërrijnë tek ura e Bunës. Rruga e Muriqanit, me një gjatësi prej 14 km është distanca më e shkurtër e cila lidh qytetin e Shkodrës me shtetin fqinj të Malit të Zi, por që fatkeqësisht është i privuar nga mungesa e sinjalistikës rrugore vertikale. E rikonstruktuar para disa vitesh kjo rrugë sërish përballet me një numër të madh vështirësish për drejtuesit e automjeteve. Ajo ka një numër të konsiderueshëm kthesash që e vështirësojnë qarkullimin normalisht në të, por bri saj ndodhen qendra të banuara si dhe 3 shkolla të kësaj zone. Vështirësitë më të mëdha i hasin shtetasit e huaj, të cilët jo vetëm që nuk e njohin rrugën, por ata nuk orientohen dot pasi nuk ka tabela që t’i orientojnë për kufizimin e shpejtësisë, për praninë e qendrave të banuara, për praninë e shkollave apo dhe për kthesat e shumta që ka kjo rrugë. Në afërsi të fshatit Oblikë, buzë rrugës nacionale ndodhen dy shkolla 9-vjeçare të kësaj zone dhe një e mesme. Por, pavarësisht pranisë së tyre, asnjë shenjë nuk paralajmëron drejtuesit se duhet të kenë kujdes e të ulin shpejtësinë, në këtë pjesë të rrugës. E sikur të mos mjaftonin vetëm tabelat në këtë aks, në disa vende është e domosdoshme që të ketë edhe bordura mbrojtëse, pasi në segmente të veçanta trupi i rrugës kalon përbri lumit Buna. Vështirësitë më të mëdha i kalojnë drejtuesit e mjeteve, të cilët qarkullojnë natën nëpër këtë segment rrugor, e në veçanti shtetasit e huaj, të cilët nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Muriqanit kalojnë për në drejtim të Tiranës apo dhe anasjellas. Gjatë sezonit të verës, ky aks është më i frekuentuar prej pushuesve ditorë apo sezonalë, për të mbërritur më shpejt në brigjet malazeze.