Edhe pse vijnë me mijëra pushues drejt plazhit të Velipojës, mungesa e ndriçimit është problem kryesor për shoferët.

Çdo vit në aksin Shkodër-Velipojë, mungesa e ndriçimit është një shqetësim që nuk po merr një zgjidhje përfundimatare. Ndonëse është klasifikuar edhe nga institucionet si një nga rrugët më të rëndësishme në vend gjatë sezonit veror, aksi i Velipojës vijon që të jetë në harresë të plotë sa i përket ndriçimit. Lëvizja në errësirë gjatë orëve të natës është tejet e vështirë për mijëra vetë që qarkullojnë aty për të shkuar drejt plazhit apo për të ardhur drejt Shkodrës. Më e vështirë bëhet situata për ata që vijnë për herë të parë për të pushuar në Velipojë dhe për aryse të ndryshme detyrohen të udhëtojnë gjatë orëve të natës. Mungesa totale e ndriçimit bën që rrezikshmëria të jetë e madhe. Kështu aksi Shkodër-Velipojë kryesisht gjatë natës mbetet një burim aksidentesh. Të tilla ishin edhe dy përplasjet mbrëmjen e së shtunës ku një automjet ra në kanal dhe u dogj dhe një dy mjete të tjera u përplasën por duke marrë dëmtime të lehta. Mungesa e ndriçimit dhe rrezikshmëria e aksidenteve në rrugën e Velipojës, ndonëse jo në një numër të konsiderueshëm mund të ndikojë edhe në uljen e numrit të pushuesve për vitet e ardhshme. Shpesh herë bizneset në Velipojë, komuniteti por edhe shumë pushues që pëlqejnë atë plazh kanë kërkuar që të paktën rruga të ndriçohet por një gjë e tillë deri më tani nuk është mundësuar.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTURISTËT E PAFTUAR TË PLAZHIT TË VELIPOJËS!
Artikulli tjetërSHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS, VATIKANI EMËTON PULLË POSTARE