Mungesa e ndriçimit në rrugët e qytetit të Shkodrës është bërë një fenomen i njohur tashmë, por kur kjo ndodh në akse të rëndësishme rrugore, rreziku i aksidenteve është i lartë.

Njëri prej këtyre akseve është edhe Unaza Perëndimore e qytetit, ku nga njëra anë mungesa e ndriçimit gjatë natës dhe nga ana tjetër mungesa e sinjalistikës rrugore, po rrezikojnë dita-ditës drejtuesit e automjeteve dhe banorët e lagjeve përreth. Punimet për riparimin e disa pusetave në këtë segment rrugor kanë lënë nga pas një sërë pasojash për qytetarët e Shkodrës. Përveç objekteve të betonit që janë lënë në mes të rrugës, firma që ka kryer këto punime nuk ka vendosur asnjë mjet sinjalizues të dallueshëm nga drejtuesit e automjeteve. Kjo ka bërë që shumë autovetura të përplasen gjatë natës me betonin e vendosur në rrugë. Situata e krijuar në këtë zonë rrezikon së tepërmi edhe banorët, të cilët ndihen të pasigurt gjatë lëvizjes me biçikleta. Pavarësisht se Unaza Perëndimore e qytetit të Shkodrës është një aks i ndërtuar vitet e fundit, kjo nuk ka evituar rrezikun e vazhdueshëm për qytetarët. Vjedhja e herëpashershme e kabllove elektrike dhe pusetave në rrugë ka bërë që banorët të mos ndihen të sigurt edhe në afërsi të banesave të tyre.

Artikulli paraprakTATIMET NISIN NORMALISHT ZBATIMIN E PLANIT TË PUNËS
Artikulli tjetërSHËN NËNË TEREZA, AUTORITETET PËRULEN PARA SAJ