
Nje numër i madh banorësh në afërsi të Stacionit të Trenit në Shkodër, janë të detyruar që prej vitesh të lëvizin në rrugë të amortizuara dhe të paasfaltuara. Në këtë zonë, prej vitesh banorët kërkojnë për ndërhyrje pasi problematika është tejet e madhe.
Si gjithmonë, situata vështirësohet përgjatë periudhës së shirave, nga ku kalimi vështirësohet tej mase. Të gjithë këto rrugica janë të mbushura pothuajse në të gjithë gjatësinë me pellgje uji, përderisa pushteti lokal akoma nuk ka vendosur të bëjë një investim për dhënien fund të problematikës. Në gjendje të mjeruar mbeten rrugët “At Zef Valentini”, “Çajupi”, “Qyteza e Gajtanit”, “Danja”, “Shasi” dhe “Frang Bardhi”. Kjo zonë, është një ndër më problematiket në Shkodër, edhe pse për pak minuta lidhet me rrugën kryesore në afërsi të Kishës së Madhe.
Problematika e kësaj zone lidhet më shumë në lëvizjen e automjeteve dhe të fëmijëve, të cilët janë të detyruar të lëvizin mes pellgjeve me ujë. Ndërkohë, përgjatë gjithë vitit situata është shqetësuese, në dimër për shkak të ujit e në verë me sasinë e madhe të pluhurit.






