Deputetja e opozitës Rudina Hajdari ka bojkotuar tryezën e Këshillit Politik.

Në një dalje publike për mediat, Hajdari tha se vendosi që të braktisë tryezën pasi po diskutohej për tenderin e identifikimit biometrik, që sipas saj është humbje kohe.

“Mbledhja nuk ka përfunduar akoma por kemi gati dy orë që shpenzojmë për tenderin e identifikimit biometrik. Nuk kam ardhur të merrem me tendera por për të përfaqësuar atë frymë për të ndryshuar sistemin zgjedhor që i duan sot shqiptarët. Është e trishtë që të ulem orë pas ore dhe të flasim për gjëra që s’kanë rëndësi. Qytetarët presim më shumë nga ne dhe nuk presin që të diskutohet se kush do të marr tenderin për mjetet e identifikimit. Unë u largova nga mbledhja. Unë i qëndrojë kësaj që nuk mund të flasim aty orë pas ore që merren me gjëra që nuk kanë rëndësi për qytetarët. Nëse do të vazhdojmë më këtë metodë, po i mbyllim derën njerëzve që kanë sado pak besim tek kjo reformë. Beteja do të jetë në Parlament dhe nuk duhet të merremi pas dyerve me tendera. Mundohen që te fusin në ligj mënyrën e tenderimit. Si do e bëjmë negocimin me shpallje apo pa shpallje?! Unë nuk pres nga kjo tryezë këtë. Ndaj vendosa që të dal nga kjo tryezë. Sa herë që të flitet për tendera unë nuk marr pjesë.”, tha Hajdari.