Inteligjenca ruse ka pikasur rreth 12 mijë kamionë dhe autobotë nafte në kufirin mes Turqisë dhe Irakut. Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Rusisë. Këto janë imazhet e filmuara nga ajri në afërsi të qytetit Zako, i cili ndodhet në Kurdistanin e Irakut. Sipas gjeneralit, Sergey Rudskoy, në të dyja anët e kufirit turko-irakian janë parë të kalojnë  11.775 çisterna dhe kamionë.

“Është e nevojshme të theksohet se nafta në Irak dhe Siri vjen pikërisht nëpërmjet postobllokut të Zakos”, deklaroi gjenerali Rudskoy, duke shtuar se “kamionët e ngarkuar me naftë vijojnë të kalojnë mes kufirit të Turqisë dhe Sirisë. Gjenerali tha gjithashtu se numri i çisternave në rrugët veriore dhe perëndimore të përdorura për transportin e naftës nga Siria është në rënie. Më herët akuzave të Rusisë, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i është përgjigjur ashpër duke thënë se nëse Rusia provon një gjë të tillë ai do të japë dorëheqjen. Sipas Moskës zyrtare forcat ajrore ruse kanë shkatërruar rreth 2000 autobote nafte të përdorura nga islamistët për transportin e naftës. Në javën e fundit, avionët luftarakë rusë kanë arritur të shkatërrojnë 17 kolona me kamionë nafte dhe një numër të madh të makinerive të përpunimit të naftës të përdorur nga terroristët. Operacionet ajrore ruse kanë detyruar terroristët të gjejnë rrugë të reja për transportin e naftës të papërpunuar, megjithatë përpos të gjitha devijimeve rruga kryesore e trafikimit mbetet Turqia, sipas gjeneralëve rusë.

Artikulli paraprakLIVING 26.12.2015
Artikulli tjetërPRESIDENTI TURK, SHMANG VETËVRASJEN E TË RIUT