Rusia mbyll zyrën e “Amnesty International” në Moskë

Autoritetet ruse mbyllën zyrën e “Amnesty International” në Moskë, pa dhënë asnjë shpjegim për veprimin e tyre. Të mërkurën, ndërsa mbërritën në derën e ndërtesës, punonjësit e “AI” gjetën një vulë mbi derë, bravat e ndryshuara dhe energjinë elektrike të shkëputur. Sipas këtij grupi për të drejtat e njeriut, autoritetet ruse, veçse asnjë arsye, nuk dhanë asnjë paralajmërim për gjestin e tyre. Megjithatë, ata shprehën besimin se duhet të ketë një shpjegim të thjeshtë administrativ. Drejtori i zyrës së “Amnesty International” në Moskë, Sergei Nikitin postoi foto të vulës në derë dhe bravave të ndryshuara në “Facebook”. Zyrtarë të “AI” thanë se, ambientet tashmë të mbyllura, i kishin marrë me qira prej 20 vitesh dhe kurrë nuk kanë vonuar pagesat apo detyrimet e tjera. Në të kaluarën, “Amnesty International” në Moskë është ankuar për bezdisje apo ngacmime nga autoritetet ruse. E ndërsa stafi i “AI” po përpiqet në mënyrë të pasuksesshme për të kontaktuar me autoritetet bashkiake, Dmitri Peskov, zëdhnësi i presidentit rus, i pyetur nga mediat tha se nuk kishte dijeni për çështjen në fjalë. Së fundmi, Rusia ka miratuar ligje mjaft të ashpra për OJQ-të që veprojnë në vend, por mbyllja e zyrës së “Amnesty International” nuk është justifikuar me asnjë prej tyre deri tani.

Artikulli paraprakPOLICIA ARRESTON TMERRIN E DYQANEVE NE TIRANE
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN 13 MILIONE KARTEMONEDHA FALSE