
Kremlini mirëpriti atë që e cilësoi të martën si “qëndrim më të balancuar” të Shteteve të Bashkuara lidhur me Ukrainën, pas miratimit në Këshillin e Sigurimit të rezolutës amerikane “Rruga drejt Paqes”, pavarësisht rezervave të zëshme të shprehura nga Britania dhe aleatët evropianë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se qëndrimi amerikan dëshmon “dëshirën reale për të kontribuar drejt një zgjidhjeje”. Në teksin e rezolutës së Shteteve të Bashkuara shprehet keqardhje për viktimat “në konfliktin Rusi-Ukrainë” dhe vihet në dukje se qëllimi kryesore i Kombeve të Bashkuara “është ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve”. Po ashtu, “bëhet thirrje për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit dhe për një paqe të qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë”.
“Kjo rezolutë na vendos në rrugën drejt paqes”, u tha anëtarëve të Këshillit ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Dorothy Shea. “Është hapi i parë, por vendimtar, për të cilin duhet të jemi të gjithë krenarë. Tani duhet ta përdorim atë për ndërtimin e një të ardhmeje në paqe për Ukrainën, Rusinë dhe komunitetin ndërkombëtar.”
Rezoluta u miratua me 10 vota pro, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara dhe abstenime nga Britania dhe katër anëtarë evropianë të Këshillit. Asnjë anëtar nuk votoi kundër rezolutës.
Franca dhe Britania u përpoqën të siguronin një shtyrje të votimit, por nuk ia arritën. Më pas dy vendet, së bashku me Danimarkën, Greqinë dhe Slloveninë, kërkuan ndryshime në tekstin e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë zëvendësimin e formulimit “konflikti Rusi-Ukrainë” me “sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës nga Federata Ruse”.
Po ashtu, ato synonin të përfshinin shprehjen e mbështetjes për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështetjen për “paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.