Sanksionet e Moskës ndaj Ankarasë pas rrëzimit të avionit rus, kanë filluar të vihen në zbatim. Rusia ka ndaluar importet tregtare që vijnë nga Turqia , ku përfshihen fruta-perimet, mishi, prodhimet e bulmetit e disa produkte të tjera.

Kabineti rus ka publikuar në faqen zyrtare të qeverisë një listë të plotë të mallrave që janë ndaluar për t’u importuar. Masat e reja kane gjetur mbështetje të madhe në Rusi, ku më herët edhe Partia Liberal-Demokrate bëri thirrje me anë të një letre të hapur që të bojkotohen prodhimet turke. “Turqia ka kryer një akt të hapur agresioni. Ky vend mbështet terroristët. Prandaj, blerja e produkteve turke, me ose pa dëshirë na çon në mbështetje të terrorizmit” , thuhet në deklaratë. Tani që embargoja e ushqimeve është zyrtare, industritë e tjera janë duke pritur për veprimin e ardhshëm të Moskës në përpjekjet e saj për të ndëshkuar Turqinë. Qeveria ka paralajmëruar se të tjera fusha ekonomie do të marrin goditje nga sanksionet.  Agjencia shtetërore e Turizmit konfirmoi edhe njëherë se kompanitë turistike të udhëtimit nuk po ofrojnë asnjë paketë që ka si destinacion Turqinë. Masat përfshijnë edhe arsimin. Rreth 50 universitete ruse kanë njoftuar se ata do të prishin kontratat akademike që kanë me institucionet turke. Zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë spekulimet për rihapjen e tuneleve ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Turqisë, duke thënë se mbyllja e komunikimit me Ankaranë do të mbetet në fuqi.