
Nga fshati turistik i Linit, ku po zhvillohet një aktivitet në përmbyllje të fazës së parë të gërmimeve në sitin arkeologjik të Buqezës, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, dha një mesazh të qartë për vijimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë, si dhe vlerësoi bashkëpunimin shkencor në fushën e arkeologjisë.
“Ky është një vendbanim i rëndësishëm për historinë e Europës,” tha Huber, duke iu referuar Buqezës – vendbanimit më të vjetër palafit në Europë. “Për ne, bashkëpunimi mes ekspertëve të Universitetit të Bernës dhe arkeologëve shqiptarë është shembullor. Ai tregon se ekziston potencial i madh jo vetëm për zbulime shkencore, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor.”
Duke komentuar mbi lajmet për ndërprerjen e financimeve zvicerane në bujqësi, ambasadorja theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkurtim të ndihmës, por për përmbylljen e një projekti afatgjatë.
“Zvicra mbetet një nga financuesit më të fuqishëm të Shqipërisë. Projekti që përfundon tani është pjesë e një plani 12-vjeçar për punësimin e të rinjve, turizmin dhe agrikulturën – një përfundim i planifikuar, jo një tërheqje,” u shpreh ajo.
E pyetur mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Huber tha:
“Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por ne mbështesim fuqimisht rrugën europiane të Shqipërisë përmes programeve tona të zhvillimit. Kemi besim se ndihma jonë ndihmon vendin të përmbushë standardet e BE-së dhe të forcojë institucionet demokratike.”
Aktiviteti në Lin vjen në një moment kur interesimi ndërkombëtar për trashëgiminë kulturore të liqenit të Ohrit po rritet, me projekte ndërdisiplinore që mund të shndërrojnë zonën në një atraksion të rëndësishëm për turizmin arkeologjik.






