
Ndryshimet në çmimet e referencës së apartamenteve në rrethe pritet të sjellin rritje të detyrimit të taksës së ndërtesës edhe për bizneset, ashtu siç ndodhi edhe në Tiranë.
Me çmimet e referencës së apartamenteve llogaritet vlera e ndërtesës edhe për rastet kur ajo nuk përdoret për qëllime banimi.
Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit. Për rrethet, çmimi i vlerës së dyqaneve është 1,5 herë më shumë se çmimi për metër katror i apartamenteve.
Ndërsa në Tiranë vlera e dyqanit llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Për qytetin e Durrësit në projektligjin e ri, Ministria e Financave ka propozuar rritje të çmimeve fiskale deri 196% (zona e Portit) nga niveli aktual. Nga një zonë të vetme kadastrale qyteti i Durrësit propozohet të ndahet në 13 zona kadastrale.
Sipas llogaritjeve të Monitor nëse një biznes posedon një dyqan në këtë zonë me sipërfaqe 60 m2 katror, pagesat vjetore do t’i rriten 23,850 lekë në vit apo 196%. Detyrimi për bizneset në këtë zonë do të 3-fishohet, duke shënuar rritjen më të lartë krahasuar me tërësinë e zonave të reja kadastrale të rretheve.
67,500 x 1,5 x 60 m2 = 6,075,000 lekë është vlera e dyqanit.
Taksa që paguhet është sa 0,2% e vlerës së dyqanit e llogaritur sa 1,5 herë e çmimit fiskal të apartamenteve.
6,075,000 x 2% = 12,150 lekë në vit
Sa bëhet detyrimi i ri
200,000 x 1,5 x 60 m2 =18,000,000 lekë
Taksa që paguhet është sa 0,2% e vlerës së dyqanit e llogaritur sa 1,5 herë e çmimit fiskal të ri të propozuar për zonën prej 200,000 lekë/m2.
18,000,000 x 0,2 =36,000 lekë në vit detyrimi i ri.
Detyrimi do të rritet për të gjitha bizneset në rrethe në të njëjta nivele të rritjes së propozuar për referencat.
Në qytetin e Korçës aktualisht një biznes me dyqan me sipërfaqe 60 m2 paguan 8,730 lekë në vit. Detyrimi për bizneset do të jetë nga 8,2 mijë lekë në 12,6 mijë lekë në varësi të vendndodhjes së dyqanit. Qyteti i Korçës ashtu si rrethet e tjera nga 1 zonë e vetme kadastrale është propozuar të ndahet në 4 zona. Në Korçë detyrimi për bizneset do të rritet nga 5,2 deri 44,3%.






