Është mbajtur mbledhja e Asamblesë së IPA Skodrini, degë e IPA Albania, shoqata që përfaqëson Policinë Shqiptare në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (IPA). Asambleja u zhvillua për zgjedhjen e drejtuesit të ri të shoqatës, pas transferimit në Tiranë të kryetares së deritanishme, Edra Beci.
Gjatë fjalës së tij, presidenti i IPA Albania, Skënder Doda, vlerësoi IPA Skodrini si një nga strukturat më aktive të shoqatës në rang kombëtar. Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e promovimit të Policisë Shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se pjesëmarrja në takime ndërkombëtare me uniformën e Policisë Shqiptare përbën një element të rëndësishëm për imazhin dhe profesionalizmin e saj.
Asambleja u përshëndet edhe nga shefi i Komisariatit të Policisë Shkodër, Bekim Lika, presidentja e shoqatës IPA për Malin e Zi, Biljana Duloviç, si dhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka. Ky i fundit vlerësoi kontributin e kësaj shoqate në promovimin e vlerave të policisë dhe bashkëpunimit institucional.
Në vijim të punimeve, Asambleja zgjodhi me votim të fshehtë kryetar të IPA Skodrini drejtorin e Policisë Bashkiake të Shkodrës, Sajmir Rrustemi. Gjatë këtij aktiviteti u ndanë edhe certifikata mirënjohjeje për disa nga anëtarët e shoqatës.
IPA Skodrini përfshin në përbërjen e saj efektivë dhe ish-efektivë të Policisë nga katër qarqet e veriut të vendit: Shkodra, Lezha, Kukësi dhe Dibra

Artikulli paraprakDËSHTON MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK KURBIN
Artikulli tjetërTRIBUNË FETARE NË SHKODËR ME HOXHË TAHIR ZENELHASANI