
15 vite nga krimi shtetëror i 21 janarit, SPAK ka thirrur Sali Berishën për ta pyetur për vrasjet e 4 protestuesve në Bulevard. Ish-kryeministri Berisha është njoftuar që të paraqitet para prokurorit Alfred Shehu në orën 10:00. Kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme çon në drejtim të ish Kryeministrit pasi e para, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapa pa u hapur.
Kjo ka detyruar SPAK që të nisë një tjetër fletë thirrje, që mban datën 7 nëntor, këtë herë jo më vetëm në banesën e ish Kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe Selinë e Partisë Demokratike.
Thirrja e Berishës në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, bëhet vetëm pak ditë pasi në Prokurori u pyet ish-ministri i tij i Brendshëm më 21 janar 2011, Lulzim Basha.


