Nisi 10 vite më parë me qëllimin e mirë për të shpërblyer punën dhe mundin e piktorëve shkodranë, dhe sot është kthyer në një nga aktivitetet më të arrira të Galerisë së Arteve në Shkodrës.

Në kuadër edhe të festave të nëntorit, ekspozita e artit pamor “Salloni i Vjeshtës” nën kujdesin e Sidi Kananit dhe Suzana Varavaricës shpalli më të mirin edhe në këtë vit jubliar. Duke vlerësuar të gjitha punimet për arritjen artistike dhe mesazhet që ato përcjellin, juria e përbërë nga skulptori Ferid Kola, galeristja Valentin Koça dhe artisti Edison Çeraj vendosën që mes 51 autorëve pjesëmarrës fituesi të ishte Andi Hila me veprën vaj në telajo, “Pa titull”. Ky çmim u dha me motivacionin për ndejshmërinë dhe përafrimin me atë çfarë është bashkëkohore në art sot. Kuratorja Suzana Varvarica tha se me rëndësi këtë vit është edhe përfshirja e artistëve nga Tirana. Fituesi Andi Hila u shpreh se ndihej i gëzuar sepse nuk e pristë këtë çmim. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj dhe vjen në kuadër të aktiviteteve që bashkia ka organizuar për festat e nëntorit.