“Do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan

, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris. Në konferencën për gazetarë, Hollande ka thënë se shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor se si do të ndikojë te to vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në, kanë qenë të arsyeshme. “Ka qenë e rëndësishme të theksohet se vendimi i Britanisë, në asnjë mënyrë, nuk do të ndikojë në angazhimin e BE-së ndaj vendeve ballkanike, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Hollande. Ai ka theksuar se BE-ja është projekt paqeje dhe se të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar luftën civile, nacionalizmin dhe ekstremizmin, prandaj “edhe dinë të vlerësojnë paqen”, shkruan REL. Në samitin në Paris, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash. Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.

Artikulli paraprakSHKODER, BESIMTARËT MYSLIMANË FESTOJNË FITER BAJRAMIN
Artikulli tjetërDROGA ME AMBULANCA/92 VITE BURG GRUPIT, MES TYRE DHE NJË SHQIPTAR