Mirza Sarajlija, basketbollisti slloven është rikthyer në Shkodër dhe ka nisur stërvitjen me Vllazninë. Ende nuk është vendosur përfundimisht por Sarajlija thotë për “Star Plus” se ka të gjithë dëshirën e mirë për të qenë sërish pjesë e ekipit kuqeblu dhe për të fituar përsëri titullin kampion apo Kupën e Shqipërisë.“Është kënaqësi të jem sërish në Shkodër.

Vij këtu për të fituar sërish titullin kampion. Rikthehem pas një viti dhe kjo është një gjë e mirë. I njoh të gjithë këtu dhe më njohin ndaj kam ardhur me dëshirën e mirë për të kontribuar sërish për Vllazninë. Ende nuk kam firmosur por me shumë mundësi do ta gjejmë gjuhën e përbashkët dhe me shumë mundësi do jem sërish pjesë e Vllaznisë. Natyrisht që dëshira jonë është për ta fituar përsëri titullin kampion. Është rikthyer edhe Gjokoviç, janë edhe djemtë cilësor të Shkodrës ashtu siç dëgjova se mund të ketë përforcime të tjera. Të gjithë bashkë shpresojmë të gëzojmë sërish për këtë qytet që e do shumë sportin. Vllaznia vazhdon që të jetë një skuadër e mirë, nuk kam parë ndeshje apo gjendjen e ekipit por kam parë se ka të njëjtën ego për të fituar trofetë”. Firmosja për Sarajlinë duket se është thjeshtë formale duke qenë se vetë basketbollisti por edhe drejtuesit e Vllaznisë kanë dëshirën që ai të jetë pjesë e kësaj skuadre. Përveç Gjokoviç që ka firmosur dhe Sarajlisë që është shumë pranë pritet që edhe amerikan Hogg dhe një tjetër deri në shkurt të jenë pjesë e kësaj skuadre.