I sapo ardhur tek skuadra e basketbollit të Vllaznisë, trajneri ri Jeronimo Sarin që do të bashkëdrejtojë me teknikun Bledar Gjeçaj shprehet se ka pranuar që të vijë në Shkodër falë një miqësie të përbashkët por edhe për të fituar titullin kampion.

“Kam pranuar që të vijë në Shkodër falë një miku të përbashkët kosovar që kam unë dhe presidenti i Vllaznisë. Miku im më ka folur shumë mirë për Vllazninë dhe për një president të shkëlqyer që ka ky ekip. Më ka thënë gjithashtu se skuadra e Vllaznisë kërkon që të fitojë titullin kampion. Unë realisht kam ardhur për një periudhë dy mujore pikërisht për të arritur këtë objektiv, fitimin e titullit kampion. Shpresojmë që të gjithë bashkë t’ia arrijmë qëllimit për të realizuar këtë objektiv madhor. Natyrisht që është një ekip i ri, një eksperiencë e re dhe një vend i ri për mua por nuk e kam shumë problem ambjentimin”. I pyetur nëse e ka njohur më përpara Vllazninë, trajneri i ri thotë se ka dëgjuar për këtë skuadër por vetëm kaq duke mos patur më shumë informacion. “Në të kaluarën kam dëgjuar për skuadrën e Vllaznisë se është ndër ekipet më cilësore në vitet e fundit në Shqipëri, por vetëm kaq s’kam patur informacion të zgjeruar. Nuk kam njohur lojtarët, drejtuesit apo tifozët. Sapo kam ardhur dhe kam zhvilluar shumë pak seanca stërvitore dhe tashmë po njihem gradualisht me të gjithë edhe pse nuk kemi shumë kohë. Shpresoj që lojtarët dhe unë të gjejmë shpejt rrugën e përbashkët për të realizuar fitimin e titullit kampion edhe pse e di se është e vështirë por jam këtu për t’ia dalë mbanë”. Trajneri i ri në basketbollin e meshkujve thotë se ka parë vetëm një ndeshje të Vllaznisë, atë ndaj Ardhmërisë dhe sipas tij skuadra ka disa aspekte për të përmirësuar “Kam parë vetëm një ndeshje të Vllaznisë dhe them se është shumë pak. Gjithsesi një ide fillestare e kam sepse mendoj se në disa aspekte të paktën me aq sa pashë Vllaznia duhet të jetë pak më e shpejtë dhe më e sigurtë në mbrojtjen e saj në mënyrë që të arrijë tek fitoret. Është një ekip i mirë dhe di që rivaliteti me Tiranën këtë vit është i madh. Edhe Tiranën e njoh pak sepse ka luajtur në Europa Ligë dhe e di se do e kemi të vështirë por asnjëherë nuk është e pamundur ndaj do provojmë të fitojmë titullin kampion”. Jeronimo Sarin ka drejtuar për 6 vite ekipin e Shebenikut në Kroaci ndërsa sëfundmi ka qenë trajner i Prishtinës në Kosovë duke ardhur tashmë në një periudhë 2-mujore tek Vllaznia me synimin për të fituar për të katërtën herë radhazi titullin kampion.

Artikulli paraprakE PABESUESHME, 56-VJEÇARI KA 7 VITE PA ENERGJI ELEKTRIKE
Artikulli tjetërFITORJA E VLLAZNISË NË DYSHIM, KORABI PEZULLON 3 LOJTARË