
Scutari U-15 është shpallur kampion i Kupës “Esat Bushati”. Skuadra shkodrane e siguroi këtë trofe në ndeshjen e zhvilluar në kompleksin sportiv “Zmijani” ndaj Veleçiku, teksa triumfoi në këtë përballje me rezultatin 3-1, duke arritur në fund të fitojë Kupën “Esat Bushati”. Në përfundim të takimit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut për futbollistët e Scutarit, teksa kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Lazër Matija dorëzoi trofeun për skuadrën kampione. Vetë ish-futbollisti veteran i Vllaznisë dhe i Partizanit, Esat Bushati tha se ndihet shumë i lumtur që sheh shumë lojtarë që stërviten çdo ditë.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Lazër Matija u shpreh se ndien kënaqësi kur nderohen figura të tilla, siç është Esat Bushati.
Nga ana tjetër, dy trajnerët e ekipeve finaliste, Erjon Hasaj i Scutarit dhe Admir Hysaj i Veleçikut folën për mbylljen e këtij sezoni futbollistik, ku thanë se synimi i tyre është rritja dhe zhvillimi i elementit cilësor për të ardhmen.
Në fakt, pavarësisht trofeve të fituar, prioritet tek këto grupmosha mbetet zhvillimi dhe rritja e elementit cilësor.