Sot është seanca e pestë parlamentare e zhvilluar në kushte të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Në seancën e sotme do të bëjnë raportimin vjetor komisioneri për të drejtën e informimit, enti rregullator i ujor dhe KQZ. Gjithashtu do të diskutohet pensioni i posaçëm për sportistët, monedha virtuale, e njohur si bitcoin.

Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni kërkoi ngritjen e një Komisioni hetimor për shembjen e Teatrit.

“Unë shpresoj në mirëkuptimin tuaj institucional për kërkesën time, jemi në kushte të ndjeshme sa i përket qytetarëve të Tiranës, pas shembjes së shëmtuar të godinës së Teatrit.

Ka shumë paqartësi, mungesë të theksuar të transparencë, dua t’ju kërkoj që sot të mblidhni kryetarët e grupeve parlamentare për të ngritur një komision parlamentar që të marrë në konsideratë të gjitha faktorët, aktorët nga të gjitha palët për ta zbardhur këtë gjë”, tha Gjoni.

Në përgjigje të kërkesës së deputetit, Ralf Gjoni, Balla e ka komentuar me ironi duke thënë “që duhet të bëjë letrat”. Duke e quajtur “djalë”, Balla shkruan se procedura duhet të bëhet me shkrim, siç e kërkon rregullorja.

“Nuk është mirë që të vijnë më Kuvend që të luajmë Teatër për teatër. Nuk mund të bësh sikur të dhemb shpirti për Teatrin, bëni propozimet, bëj letrat djalë. Mëso që procedura është e përcaktuar për çdo lloj nisme. Kam mbështetur kërkesën e ardhur nga opozita për interpelancë “, tha Balla.