Seanca plenare – Konferenca e Kryetarëve nuk mblidhet për mungesë kuorumi

Konferenca e Kryetarëve që mblidhet zakonisht përpara seancën parlamentare, nuk është mbledhur ende për shkak të mungesës së kuorumit. Përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar punimet e Kuvendit që prej nisjes së protestave rreth 17 ditë më parë. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka propozuar emrin e Luan Ramës si pjesë e komisionit të Kuvendit që do të ‘skanojë’ kandidaturat për komisionet e Vettingut. Më herët, PDIU-ja, propozoi Shpëtim Idrizin, si anëtar. Ende nuk kanë dhënë propozimet e tyre Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Mbledhja është raportuar që do të zhvillohet rreth orës 15:00, por që nuk është zhvilluar. Në mbledhje ishin të pranishëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, Ermonela Felaj dhe Erion Braçe, ndërsa nga PDIU, Mesila Doda e LSI, Luan Rama. Ndërkohë në Kryesinë e Kuvendit ka mbërritur dhe kryeministri Rama. Partia Socialiste nuk do të paraqesë ende propozimet e saj për komisionin e posacëm parlamentar për ngritjen e trupave të Vettingut. Socialistët kanë vendosur të presin qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila nga ana e saj ka paralajmëruar bojkot të seancës parlamentare. Palët politike kishin afat deri në orën 16:00 për të paraqitur propozimet e tyre, për të kaluar më pas në seancën e orës 18:00. Shanset për të ngritur organet e vettingut janë të pakta sepse që të ndodhë kjo duhet të jetë e pranishme edhe opozita. Gjatë seancës pritet që socialistët të votojnë projektvendimet e rendit të ditës dhe të presin për seancën e radhës qëndrimin e opozitës për të marrë pjesë në këtë komision.