Sekuestro 2 milionë euro, tre italianë i kap ligji Antimafia

Gjykata e Krimeve të Rënda sekuestroi llogaritë bankare prej afro 2 milionë euro të tre shtetasve italianë, të cilët prej dy vitesh pretenduan se do të tregtonin gurë të çmuar nga Tanzania në Shqipëri e më pas në Europë. Krimet e Rënda thonë se kjo dosje është hetuar më herët nga Prokuroria e Kavajës pasi shuma u zbulua në një bankë të nivelit të dytë në këtë qytet. Që prej vitit 2015 prokurorët hetuan për pastrim parash, por që pas shtyrjes së afateve u aplikua ligji Antimafia. Llogaritë bankare janë të depozituara në emër të shoqërisë “Alenfra”, me administratore shtetasen italiane Simonetta Coniglio, ndërkohë që si bashkëpunëtorë të saj dyshohen edhe bashkëshorti Sergio Pisaneschi dhe shtetasi tjetër italian Paolo Tadeo. Hetimet tregojnë se “Alenfra” ishte regjistruar në QKR me objekt tregtimin e gurëve të çmuar dhe metaleve me vlerë dhe me këtë justifikim brenda një kohe të shkurtër janë kryer transferta të ndryshme. Gjatë hetimeve për pastrim parash prokuroria konstatoi se tre italianët kishin precedentë të mëparshëm në vendin e tyre për mashtrim dhe procedura mashtruese falimenti. Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sipas ligjit Antimafia, të dyshuarve u takon të provojnë burimin e këtyre llogarive.