Sekuestrohen 138 kg kanabis në një shtëpi të pa banuar

Një sasi prej 138 kg kanabis është sekuestruar nga policia e Dibrës. Sipas bluve të këtij qyteti 38 kg ishte e përpunuar dhe e paketuar dhe rreth 100 kg të papërpunuara. Droga është sekuestruar në një shtëpi të pabanuar, ndërsa janë shoqëruar në polici tre persona. “Gjatë kontrolleve të njëpasnjëshme të ushtruara nga efektivët e policisë së Dibrës për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, në vendin e quajtur “fushë-Kastriot”, në një banesë të pa banuar është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 38 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa e paketuar, rreth 100 kg lëndë e dyshuar cannabis sattiva e pa përpunuar dhe një sasi mbetjesh të kalbura të bimëve narkotike. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në ambjentet e policisë 3 shtetas si të dyshuar për këtë ngjarje ku po merren në pyetje nga Specialistët për Narkotikët”,sqaron policia. Po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.