Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut hapës të fushatës së Partisë Demokratike në Tiranë, policia ka referuar në prokurori çështje penale për ndotje ambienti.

Policia Gjyqësore ka sekuestruar pajisjet ndriçuese të përdorura në miting. Rreth 140 persona, mes tyre edhe vetë Lulzim Basha, kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit të së dielës në spital, disa orë pas mbylljes së mitingut para Kryeministrisë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë kanë qenë me simptoma të ngjashme, shenja të helmimit, kryesisht djegie në sy dhe skuqje lëkure në pjesët e sipërme të trupit. Lulzim Basha tha se ajo që ndodhi nuk ishte një tollumbace, ndaj kërkoi që autorët të vihen para përgjegjësive. Basha tha se fushata nuk do të ndalet, ndërsa theksoi edhe PD-ja do të bëjë analizën e saj. Ndërsa kryeministri Edi Rama foli nga Elbasani për ngjarjen dhe tha se zbardhja e saj duhet të bëhet sa më shpejt.