
Sekuestrohet 500.000 euro drogë, arrestohet shqiptari në Itali
Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane dhe një sasi droge është sekuestruar, raportojnë sot mediat lokale. Efektivët e pikasën shqiptarin teksa dilte nga një ndërtesë, në zonën rurale të Abbiategrasso, në Milano. Agjentët kontrolluan 48-vjeçarin shqiptar dhe në xhep iu gjetën 75 gr kokainë. Pas kësaj, u kontrollua edhe banesa e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Aty u gjendën 54 kg marijuanë, me një vlerë më shumë se 500.000 euro. Ai u vu në pranga me akuzën e posedimit të drogës me qëllim trafikimin. Disa ditë më parë, një tjetër shqiptar u arrestua në Leçe, në një aksion ku u sekuestruan më shumë se 700 kg drogë, por u lirua me pas, pasi gjykata nuk gjeti prova për mbajtjen e tij në burg.






