
Kontrollet e befasishme në ambientet e brendshme të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në IEVP Shkodër kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e sendeve të ndaluara brenda institucionit.
Sipas burimeve zyrtare, aksioni është zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative nga IEVP Shkodër në bashkëpunim me Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nën drejtimin e drejtuesit të institucionit dhe Shefit të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën nr. 2 të burgut, janë konstatuar dhe sekuestruar tre aparate celularë. Konkretisht, në ambientet e dusheve është gjetur një aparat celular i markës “Xiaomi”, ndërsa në lavanderi janë zbuluar një telefon “Nokia” dhe një aparat “iPhone”, së bashku me dy fisha karikimi.
Lidhur me rastin, autoritetet kanë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit të sendeve të ndaluara, ndërsa është njoftuar edhe Agjencia përgjegjëse për vijimin e procedurave të mëtejshme administrative dhe disiplinore.


