
Në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua promovimi i librit “Selami Dani, artist i golave me kokë”, me autor Faik Sadikun, një aktivitet simbolik kushtuar një prej figurave më të shquara të historisë së Vllaznisë.
Mjeshtri 83-vjeçar Selami Dani u shfaq i emocionuar mes ish-shokëve të skuadrës, drejtuesve të klubit dhe sportdashësve shkodranë. Një nga momentet më prekëse të ceremonisë ishte dhurimi i fanellës me numrin 10 nga presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij ndër vite. Libri, me 210 faqe, sjell në vëmendje momente të rëndësishme nga karriera e Selami Danit si futbollist dhe trajner, duke evidentuar rolin dhe ndikimin e tij në futbollin shkodran dhe atë shqiptar.
Promovimi u shndërrua në një takim emocionesh, kujtimesh dhe mirënjohjeje, duke riafirmuar vlerën e figurave që kanë ndërtuar historinë e Vllaznisë dhe kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar.






