Sëmuren nxënësit, helmimi masiv dyshohet nga uji

Rreth 25 nxënës të një shkolle 9-vjeçare në fshatin Rrapëz të Lushnjës kanë shfaqur shqetësime shëndetësore 2 ditët e fundit. Nxënësit janë ndjerë keq në orën e dytë të mësimit me dhembje barku dhe të vjella. Mësuesit pasi lajmëruan prindërit i dërguan nxënësit në spital. “Kisha dhimbje barku dhe na vinte për të vjellë”, thotë një nxënëse. Pati 5-6 raste të cilët u nisën pranë familjeve dhe ju tha që të shkonin për vizitë, ndërsa sot pati dyfishim të numrit të tyre”, shprehet mësuesi Mariglen Gjini. Mjekët e shërbimit epidemiologjik në Lushnjë kanë shkuar në shkollën “Sila Gjini” dhe në familjet e nxënësve të sëmurë dhe kanë marrë mostra analizash të ujit të pijshëm dhe të ushqimeve që kishin konsumuar nxënësit në dyqanet përreth shkollës. Përgjigjet e analizave pritet të dalin në fillim të javës së ardhshme, por sipas drejtorisë së shërbimit të higjienës dyshohet për një helmim masiv të fëmijëve. “Ka pasur shenja me dhimbje barku dhe me dhimbje koke, këto janë shenjat që ne na u njoftuan. Me të marrë këtë njoftim grupi i punës është nisur menjëherë”, thotë Genti Xhoxhi, drejtor i shërbimit epidemiologjik në Lushnjë. Dy muaj më parë pjesëtarët e tre familjeve në fshatin Skilaj u helmuan nga uji i pijshëm i përzier me ujërat e stallës së kafshëve.

Artikulli paraprakGJYKATA GREKE DËNON LUFTËTARËT E ISIS
Artikulli tjetërPROTESTA E OPOZITËS, ANGAZHOHEN 2 MIJË EFEKTIVË