Plot 79 persona, mes tyre ish ministri i Tregtisë dhe Turizmit, Slobodan Milosavljevic dhe dy zv/ ministra biznesmenë të njohur janë arrestuar në kuadër të një operacioni të madh kundër korrupsionit. Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerën e 100 milionë eurove.

Ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanovic doli në një konferencë për median ku informoi se është operacioni më i gjerë i ndërmarrë kundër korrupsionit. Në mesin e të arrestuarve gjendet edhe Zoran Markoviç, ish-drejtor i anti-korrupsionit dhe Mila Jerzdimiroviç, ish-këshilltarë i ish-kryeministrit Ivica Daçiçit dhe ish-drejtori i agjencisë së sigurimeve “Danube”. Ministri tha para mediave vendase se hetimet kanë nisur që në vitin 2004 deri sot, ndërsa njoftoi se aksioni do të vijojë dhe “askush që është i përlyer nuk do të shpëtojë”  Ministri i Brendshëm ndër të tjera bëri të ditur se janë edhe 39 persona të tjerë që priten të arrestohen. Ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim detyre, falsifikime të dokumenteve zyrtare, marrje rryshfeti dhe abuzime me prokurimet publike. Ministri tha se një ndër objektivat më të rëndësishme të qeverisë është lufta kundër korrupsionit, e cila do të jetë e ashpër. Nebojsha Stefanoviç: “Publiku do të shohë se policia do të vazhdojë të punojë intensivisht për të hedhur dritë mbi rastet e tjera dhe nuk do të lejojë askënd që të shpëtojë”.