
Menaxhimi i hapësirave publike në bregdetin e Lezhës dhe masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik ishin në fokus të një takimi mes autoriteteve vendore dhe strukturave të Policisë së Shtetit. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, bëri të ditur se pjesa më e madhe e plazheve përgjatë vijës bregdetare do të mbeten në dispozicion të qytetarëve, me një përqindje të konsiderueshme të sipërfaqeve që do të ofrohen pa pagesë.çmimet për shërbimet do të jenë të përcaktuara sipas kategorive përkatëse, ndërsa çdo pagesë duhet të dokumentohet përmes faturave të fiskalizuara. Moszbatimi i këtyre detyrimeve, do të sjellë masa ndëshkuese deri në heqjen e të drejtës për ushtrimin e aktivitetit.Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ishte kontrolli i parkingjeve dhe evidentimi i rasteve të aktivitetit informal. Bashkia kërkoi angazhimin e strukturave policore për monitorimin e hapësirave të parkimit, si dhe për identifikimin e personave që ofrojnë akomodim turistik jashtë kuadrit ligjor.
Drejtori i Policisë Vendore Lezhë, Arben Nasufi, garantoi se gjatë muajve të verës do të ketë një prezencë të shtuar të forcave të rendit në zonat turistike. Ai nënvizoi se policia do të ndërhyjë në çdo rast të shkeljes së ligjit, me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe krijimin e kushteve të sigurta për pushuesit dhe bizneset.
Me rritjen e numrit të vizitorëve dhe pushuesve në bregdetin e Lezhës, institucionet vendore synojnë të forcojnë kontrollin në terren dhe të garantojnë respektimin e rregullave nga të gjithë operatorët turistikë, në mënyrë që sezoni veror të jete në kushte sa më të mira për pushuesit dhe komunitetin lokal.


