
Sezoni turistik veror ka sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të automjeteve në qytetin e Shkodrës. Mesditën e sotme, në hyrje të qytetit vërehej një trafik i rënduar, ku radhët e gjata të makinave u regjistruan kryesisht në dalje. Për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur kaosin në lëvizje, efektivët e Policisë Rrugore kanë zbritur në terren duke drejtuar qarkullimin në pikat më kritike.
Sipas eksperiencës së viteve të kaluara, ky fluks pritet të vijë në rritje dhe të arrijë pikun gjatë muajit gusht. Megjithatë, investimet që po realizohen aktualisht në infrastrukturën rrugore pritet të sjellin një përmirësim të ndjeshëm të situatës dhe të çlirojnë trafikun në të ardhmen.






