Skuadra shkodrane, që nga e hëna pasdite ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës, atë që do ta luajë të shtunën, në orën 13:00, në “Selman Stërmasi”, ndaj Tiranës.

Natyrisht, konsiderohet një ndeshje shumë e vështirë, sepse vendasit kanë pretendime për të ngjitur shkallët e renditjes dhe, për më tepër, që me ardhjen e trajnerit Daja, duken më të motivuar për të bërë gjëra të mira. Por, edhe shkodranët nuk do udhëtojnë “të dorëzuar” drejt kryeqytetit.Ata, kuptohet, do të kërkojnë të mos dalin pa pikë. Fitorja është një objektiv i ekzagjeruar, por ndoshta një barazim do t’i kënaqte futbollistët dhe stafin teknik të Vllaznisë. Ky i fundit, për këtë ndeshje pritet të luajë me të njëjtin formacion, si në ndeshjen e fundit me Tërbunin. Kjo edhe ngaqë mesfushori Krymi, që pritej të rikuperohej, nuk duket se do t’ia dalë për të qenë i gatshëm për këtë fundjavë. Në mungesë të tij, treshja e qendrës së mesfushës do të jetë e përbërë sërish nga Haxhibuliç, Bardulla dhe Sefa. Bardulla në fakt doli i dëmtuar nga takimi me pukjanët, por nuk duket shumë serioze situata, ndaj deri të shtunën mendohet të jetë i gatshëm për të luajtur. Pjesa tjetër e ekipit, natyrisht që është në dispozicion të stafit teknik dhe po mundohet të bëjë më të mirën në stërvitje, në mënyrë që ndaj bardhebluve të kërkojnë një rezultat pozitiv.

Artikulli paraprakBAYERN, DËMTOHET SËRISH FRANCEZI RIBERI
Artikulli tjetërVOLEJBOLL, VLLAZNIA KUALIFIKOHET NË GJYSMË FINALE TË KUPËS