
Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua një takim ndërveprues me studentët mbi sfidat e gazetarisë në Shqipëri dhe rolin e medias në luftën kundër dezinformimit. Aktiviteti u organizua në kuadër të një projekti të Qendrës “5 Pyetjet”, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA). Të ftuara në këtë takim ishin gazetaret Agida Koçi nga Tv Klan dhe Kristi Gongo nga Top Channel, të cilat ndanë përvojat e tyre profesionale dhe bashkëbiseduan me studentët mbi sfidat e medias në kohën e informacionit të shpejtë dhe përhapjes së dezinformimit.
Në takim u theksua rëndësia e gazetarisë së përgjegjshme dhe roli i gazetarëve në informimin e drejtë të publikut, si dhe nevoja për të luftuar dezinformimin, veçanërisht në rrjetet sociale dhe mediat online.
Gazetarja Kristi Gongo ndau edhe këshilla për studentët dhe të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e profesionit të gazetarit.
Në aktivitet morën pjesë studentë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Fakultetit të Shkencave të Edukimit, programit të Gazetarisë, Gjuhë-Letërsisë, si dhe të programeve të Punës Sociale dhe Psikologjisë.






