
Vala e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare për mallrat dhe shërbimet, në nivelet më të larta në 15 vjet, mund të shërbejë si nxitje në zgjerimin e prodhimit vendas. Përpjekjet e para kanë nisur në prodhimin e inputeve bujqësore, teksa zinxhiri po mbështetet nga rritja e numrit të ofiçinave që prodhojnë makineri dhe pajisje për fabrikat. Kriza e çmimeve të larta mund të nxisë prodhimin në industrinë kimike, në prodhimin e detergjentëve, plehrave kimike, ushqimeve për bagëtinë, të cilat nuk kërkojnë shumë investime dhe atësi në burime njerëzore. Pajisjet dhe makineritë mjekësore, një perspektivë e re
Rritja e fortë e çmimeve, që ka përfshirë njëherazi mallrat dhe shërbimet në të gjithë botën, ka të ngjarë të vërë në lëvizje zinxhirët e prodhimit në vendin tonë. Modeli i ekonomisë, i bazuar në konsum dhe import, do të detyrojë konsumatorin shqiptar të paguajë rritjen e çmimeve me origjinë të largët pa asnjë barrierë.
Por në disa sektorë si agroindustria, bujqësia dhe energjia, rritja e çmimeve mund të shërbejë si nxitje e mëtejshme për prodhim. Edhe pse çmimet e lëndëve të para janë rritur në të gjithë botën, Shqipëria mund të shfrytëzojë disa mundësi që ofron tregu vendas, ku hapësirat për manovra janë të mëdha, ku mjaftojnë vullneti dhe disa ide.
Sektori i bujqësisë dhe agropërpunimi paraqet potencialin më të madh, si dhe energjia elektrike, nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë diellore. E ashtuquajtura rritje e çmimeve në Shqipëri udhëhiqet nga ushqimet dhe kryesisht nga disa artikuj që prodhohen në vend. Për shembull, në muajin gusht, çmimet shënuan rritje të përgjithshme prej 2.4%, nga 1.3% që ishte ky ndryshim në gushtin e vitit 2020.
Grupi i ushqimeve kontribuoi me 66.6% të rritjes, çmimet e naftës ishin kontribuuesi i dytë më i madh, ndërsa grupet e tjera patën ndikim më të ulët. Ushqimet kanë ndikim të lartë te çmimet, pasi rreth 41.6% e buxhetit mujor të familjeve shkoi për ushqimet më 2020, raportoi INSTAT. Tek grupi i ushqimeve, nxitësi kryesor i inflacionit janë frutat dhe perimet, për të cilat prodhimi vendas mund të zgjerohet më tej.
Alban Zusi, i cili operon në industrinë ushqimore, dhe së fundi po prodhon inpute për bujqësinë, tha se prodhimi bujqësor mund të nxitet më tej duke përmirësuar ciklin e prodhimit në inpute, plehra kimike dhe ushqime për kafshët.
Shqipëria është një treg i vogël, por disa cikle të prodhimit mund të përmirësohen. Këto cikle nuk kërkojnë investime të mëdha dhe aftësi të larta të burimeve njerëzore. Industria kimike dhe ajo mekanike mund të zgjerohen në prodhim. Zusi tha se prodhimi i detergjentëve dhe plehrave në bujqësi ka hapësirë për rritje. Industria e mekanikës, mund të zgjerohet, nisur nga përvoja e mirë e trashëguar nga e kaluara, duke prodhuar makineri, pjesë, apo impiante për fabrikat.
Vangjel Rula, i cili zotëron një ofiçinë në ambientet e kombinatit metalurgjik, tani po prodhon makineri për kompaninë amerikane, “General Elektrik”. Zoti Rula, me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, ka kapacitet të prodhojë impiante dhe makineri për fabrikat. Ai tha se, kërkesa nga tregu vendas po rritet.
Një biznes i ngjashëm në Divjakë prodhon të gjithë impiantin që i duhet një fabrike qumështi. Zoti Pirro Buli, i cili drejton këtë sipërmarrje nga 2007-a, dhe se është rritur interesi nga industria ushqimore për t’u zgjeruar në prodhim. Kohët e fundit ai tha se, ka kërkesë të lartë për impiantet e kantinave të prodhimit të verës.
Kriza e Covid-19, si një mundësi për prodhimin vendas
Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë. Duke qenë pjesë e Europës, me një popullsi ende të re në moshë, me përvojë të gjatë në industrinë fason, Shqipëria mund të kthehet në fabrikën e Europës për prodhimin e veshjeve mjekësore, duke zëvendësuar furnizimet në ato vende që po rishikojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Në afat të mesëm, mundësitë për të diversifikuar dhe për të rritur vlerën e shportës së eksporteve dhe shërbimeve mbeten të larta, duke shfrytëzuar orientimin e kërkesës së re brenda kontinentit europian dhe avantazhin konkurrues nga kostot e ulëta të punës. Ekonomistët, bizneset dhe institucionet financiare ndërkombëtare bien dakord se Shqipëria mund të shfrytëzojë kushtet e reja, në të cilat ndodhet ekonomia globale, duke orientuar prodhimin drejt produkteve me vlerë të lartë dhe duke zgjeruar më tej gjeografinë e eksporteve.
Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve tha se, në 10 vitet e ardhshme do të ketë kërkesë të lartë për maska dhe veshje mjekësore për spitalet.
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, sugjeroi se qeveria duhet të ketë një strategji të rritjes së eksporteve, për të parë se sa vendi ynë mund të jetë potencial për prodhimin e tyre për sa më shumë vende.
Struktura e ekonomisë shqiptare dominohet në më shumë se 40% të saj nga sektorët e bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit. Industria përpunuese zë 6,1% të saj. Banka Botërore, në një analizë të thellë, që i bëri profilit të ekonomisë shqiptare në mars të këtij viti, tha se ka hapësira shumë të mëdha për të rritur vlerën e prodhimeve të bujqësisë dhe të fabrikave, të cilat do ta bëjnë më të qëndrueshme rritjen ekonomike të vendit. Pajisjet mjekësore dhe ushqimet janë produkte që kanë tregun e garantuar gjatë kësaj dekade, ndaj politikat mbështetëse duhet të nxisin këta sektorë.






