PAPASTËRTI DHE ALGE NË UJË MBIZOTËROJNË NË TË GJITHË SHATËRVANIN. Shatërvani në qytetin e Shkodrës është i ndotur në një masë të madhe. Uji është i pisët dhe brenda shatërvanit ka papastërti të ndryshme. Nga një vëzhgim i bërë është e qartë se ky shatërvan që është ndërtuar që në vitin 2009 ka shumë kohë pa u pastruar. Si shkak i një periudhe të gjatë ku askush nuk ka vënë dorë, shatërvani ka krijuar një ndotje të konsiderueshme në të gjithë hapësirën e tij.

Jo vetëm uji por edhe pjesët e tjera të këtij shatërvani mbizotërohen nga papastërtitë. Në fakt imazhi që krijohet si shkak i kësaj situate tek ky shatërvan nuk është aspak i mirë. Duke qenë se ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës, gjatë ditës me dhjetra turistë të huaj përshkohen aty dhe tabloja me të cilën përballen nuk i shërben aspak pozitivisht qytetit të Shkodrës. Shatërvani që zëvendësoi bustin e 5-heronjve të vigut për të cilin u bë një zhurmë e madhe qoftë për historinë por edhe për arkitekturën duke ndarë në dysh qytetin e Shkodrës por edhe më gjërë, u tha se do të pastrohej rregullisht. Që nga viti 2009 kur përfundoi së ndërtuari shpesh herë është vërejtur se ai shatërvan nuk pastrohet ashtu siç duhet. Papastërti por edhe alget janë krijuar si shkak i mungesës së vëmendjes kanë bërë që shatërvani në pak vite të shndërrohet pothuajse në një pellg.