Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dhuroi pesë paketa të kontrollit poligraf Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), që ndryshe njihet si makina e së vërtetës.

Me këtë pajisje, do të testohen aplikantët për në Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga SHBA.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi se “këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme”.

Testi i poligrafit bazohet në matjen e disa treguesve fizikë, si rrahjet e zemrës, djersitja, temperatura e trupit, tensioni, etj., gjatë kohës që i testuari i përgjigjet pyetjeve me një “po” ose me një “jo” të prerë.

Ambasada sqaron se “pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standarteve më të larta të integritetit”.

“Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një program dhjetë javor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP).

Drejtori i Përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC) – organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafeve – iu bashkuar drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, – shprehet ambasada.

Artikulli paraprakMETA NË KONFERENCË TË JASHTËZAKONSHME: KUSHTETUTA VIJË E KUQE
Artikulli tjetërSHQIPTARI VDES DUKE ORIENTUAR FURGONIN