SHBA i ka tejkaluar tashmë 24 milionë raste pozitive me koronavirus. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, vendi numëron 24,018,793 të prekur me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani.

SHBA-ve iu deshën 304 ditë që të arritinte 12 milionë raste me koronavirus. Dhe më pas, për 59 ditë, u arrit një 12 milionësh i dytë.

Numri i vdekjeve nga nga COVID po rritet në pothuajse dy të tretat e shteteve në SHBA ndërsa një valë infeksionesh të stinës së dimrit e çon numrin e përgjithshëm në afro 400,000 mes paralajmërimeve për përhapjen e një variant të ri, shumë ngjitës.

Ndërsa amerikanët shënonin ditën e Martin Luther Kingut të hënën, guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo u bëri thirrje autoriteteve federale të frenojnë udhëtimet nga vendet ku po përhapen variante të reja.

Por varianti i ri i ashtuquajtur britanik tashmë po përhapet në SHBA,dhe Qendrat për Kontrollin dhe Paralajmërimin e Sëmundjeve (CDC) kanë paralajmëruar se ai do të bëhet ndoshta variant mbizotërues në vend deri në mars. CDC tha se varianti është rreth 50% më ngjitës sesa virusi që po shkakton shumicën e rasteve në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa ky variant nuk shkakton sëmundje më të rëndë, ai mund të sjellë më shumë shtrime në spital dhe vdekje thjesht sepse përhapet më lehtë. Në Britani, ai e ka rënduar situatën duke mbushur spitalet dhe po konsiderohet përgjegjës për një rritje të mprehtë në raste në disa vende të tjera evropiane.

Shumë shtete të SHBA-së janë tashmë nën presion të jashtëzakonshëm. Mesatarja shtatë-ditore e vdekjeve ditore po rritet në 30 shtete dhe në kryeqytetin Uashington dhe të hënën numri i të vdekurve në Shtetet e Bashkuara tejkaloi 398,000, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins – deri tani numri i vdekjeve më i lartë i regjistruar në çdo vend të botës.

Në Kaliforni, shteti më i populluar, distriktet po kërkojnë më shumë vaksina ndërsa shteti përpiqet të ulë shkallën e lartë të infeksionit që ka rezultuar në një numër rekord të shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Në Nju Jork, guvernatori Cuomo tha se shteti i tij, i cili ka regjistruar më shumë se 41,000 vdekje, është “në një garë” mes ritmit të vaksinimit dhe shkallës së infeksionit.