Në SHBA ende janë të dukshme pasojat e stuhisë së borës e cila në fund të javës së kaluar goditi pjesën verilindore të vendit ndërsa meteorologët paralajmërojnë një valë të re të ftohtit që do të përfshijë pjesën më të madhe të vendit.

Enti i Meteorologjisë njoftoi se pritet që vala e re për më pak se një javë të shfaqet nga malet shkëmbore drejt verilindjes së vendit dhe të përfshinë një hapësirë më të madhe se 3.200 kilometra, njoftoi CNN.

Parashikimet tregojnë se një valë e re e të ftohtit, që nga fillimi në New England mund të godasë 21 shtete ku priten reshje të dendura dhe temperatura jashtëzakonisht të ulëta të ajrit.

Një stuhi e re bore mund të godasë më së shumti shtetin Indiana dhe zonën përreth ku trashësia e borës mund të arrijë në 45 centimetra, që do të ishte më e larta që nga viti 1900. Reshje të dendura bore priten edhe në Toledo të Ohajos.

Në ditët e para, mund të ketë akull dhe vështirësi në furnizim me energji elektrike në Teksas dhe zonat përreth si dhe vështirësi në trafik.

Përkeqësimi i motit nga e premtja do të vazhdojë në Tenesi dhe Kentaki në lindje dhe gjatë fundjavës temperaturat e ajrit në New York mund të bien deri në 6 gradë celsius nën zero.