SHBA provokon Pekinin, dërgon një anije luftarake në ishull

Një anije luftarake amerikane ka lundruar afër një ishulli artificial të ndërtuar nga Kina në Detin e Kinës së Jugut, sfida e parë ndaj pretendimit të Pekinit për ujërat që kur presidenti Donald Trump mori detyrën. Kina tha se anija amerikane kishte hyrë në ujërat e saj pa leje dhe flota e saj e kishte paralajmëruar që të largohej. Shtetet e Bashkuara të Amerikës këmbëngulin se kanë të drejtë t’i vazhdojnë operacionet e tyre në ujrat ndërkombëtare. Uashingtoni argumenton se nuk përfshihet në mosmarrëveshjet territoriale, por në të kaluarën ka dërguar anije luftarake dhe avione në afërsi të ishujve, duke i quajtur këto “operacione të lëvizjes së lirë”, me qëllim sigurimin e qasjes në rrugët kryesore detare dhe ato ajrore. Gjithashu zyrtarët amerikanë kanë kritikuar në mënyrë të përsëritur atë që shohin si përpjekje e Pekinit për të kufizuar lirinë e lundrimit në ujërat strategjike. Kina pretendon pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, duke përfshirë shkëmbinj nënujorë dhe ishuj, të pretenduar edhe nga vende të tjera. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang dënoi masën e SHBA. “Veprimi dëmtoi sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe mund të çojë lehtë në një aksident ajror apo detar,”– tha ai, duke shtuar se veprimet e Shteteve të Bashkuara kanë ndërprerë seriozisht procesin e dialogut dhe konsultimit. SHBA dhe Kina kanë akuzuar njëri-tjetrin për “militarizimin” e Detit të Kinës Jugore dhe ka shqetësime se zona po bëhet një pikë alarmi me pasoja të mundshme serioze globale.