
SHBA rrëzon dronin sirian, qëlloi forcat e koalicionit
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë rrëzuar një “drone” proqeveritar në Siri, pasi ky i fundit sulmoi forcat e koalicionit. Avioni i telekomanduar, i armatosur, ishte duke fluturuar pranë një zone të çmilitarizuar në juglindje të vendit, shumë pranë kufijve me Jordaninë dhe Irakun. Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se kjo ishte hera e parë që njësitë proqeveritare siriane kanë sulmuar forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, asnjë anëtar i forcave të koalicionit nuk është dëmtuar nga ky sulm. Incidenti ndodhi pranë pikës ndërkufitare al-Tanf, mes Sirisë dhe Irakut, që është bërë së fundi një nga pikat kyçe të konfliktit. Muajin e kaluar, avionët e koalicionit të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara bombarduan një autokolonë të forcave qeveritare prosiriane pranë bazës Tanf. Forcat siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani raportohen se po lëvizin drejt kësaj baze, e cila është përdorur nga luftëtarët rebelë dhe personeli i forcave speciale të Perëndimit.


