Shtetet e Bashkuara deklaruan se janë të shqetësuara, pasi talebanët e prezantuan ditën e djeshme qeverinë e re të përbërë vetëm nga burrat dhe me figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane. Kabineti i qeverisë së përkohshme udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, i cili është në një listë të zezë të Kombeve të Bashkuara. Një figurë tjetër, Sirajuddin Haqqani, është i kërkuar nga FBI-ja.
Përmes një deklarate të publikuar të martën, Departamenti i Shtetit tha: “Vërejmë se lista e publikuar e emrave përbëhet ekskluzivisht nga individë që janë anëtarë të talebanëve ose njerëz të afërt me ta dhe nuk ka gra. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga lidhjet dhe e kaluara e disa individëve.”
Në deklaratë gjithashtu thuhet se Uashingtoni do t’i gjykojë talebanët në bazë të veprave e jo fjalëve dhe do t’i mbajë përgjegjës për zotimet e tyre për të ofruar largim të sigurt për afganët dhe të huajt me dokumente të udhëtimit.
Sirajuddin Haqqani, i emëruar ministër i Brendshëm, është kryetar i një grupi militant të njohur si rrjeti Haqqani. Ky rrjet cilësohet nga Shtetet e Bashkuara si organizatë e huaj terroriste.
Më herët të martën një deklaratë udhëheqësi suprem i talebanëve Mawlawi Hibatullah Akhundzada i tha qeverisë të respektojë rregullat e Sheriatit .
Talebanët duan marrëdhënie “të forta dhe të shëndetshme” me vendet e tjera dhe do të respektojnë ligjet dhe traktatet ndërkombëtare për sa kohë që ato nuk bien ndesh me “ligjin islam dhe vlerat kombëtare të vendit”, tha ai.
Emërimi i tij shihet si një kompromis, pas raporteve të fundit për luftime mes disa figurave relativisht të moderuara talebane dhe kolegëve të tyre të vijës së ashpër.
Talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tre javë më parë.
E megjithatë populli afgan, në veçanti gratë nuk janë dorëzuar ende duke mbajtur protesta të shumta të cilat janë shpërndarë nga talebanët edhe me dhunë.
Militantët mohojnë të përdorin dhunë kundër tyre, por qeveria e tyre përballet me shumë sfida të vështira në vendin e shkatërruar nga konflikti, stabilizimin e ekonomisë dhe njohjen ndërkombëtare.