Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka pezulluar nga detyra nënkomisarin e Policisë së Durrësit, 30-vjeçari F. S., pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas SHÇBA, ky punonjës policie dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.

Njoftimi i SHÇBA:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, Nënkomisar F. S., i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik” për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Artikulli paraprakZJARRET SHKRUMBUAN 1.7 MILION HEKTARË TOKË, BIDEN UDHËTON DREJT KALIFORNISË PËR PLANIN E RIMËKËMBJES ME NJË FATURË TRILIONA DOLLARË SHPENZIMESH
Artikulli tjetërTENSIONET NË KUVEND PËR PROPOZIMET E KOMISIONEVE, REAGON LSI: ASNJË NGA DEPUTETËT NUK ËSHTË LAJMËRUAR, LINDITA NIKOLLA PRANOI KËRKESËN PËR SHTYRJEN E SEANCËS PARLAMENTARE