Shefja e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini, ka nisur vizitën zyrtare në Tiranë.

 

Mogherini mbërriti në aeroportin e ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 16:00. Takimin e parë pas mbërritjes në Tiranë, Federica Mogherini e zhvilloi me presidentin Bujar Nishani. Takimi Nishani-Mogherini zgjati rreth 40 minuta. Në fokus të takimit mësohet të ketë qenë Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i ligjit të Vettingut, kushti bazë i Brukselit për çeljen e negociatave me BE. Pas takimit me Presidentin Nishani, Shefja e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini mori pjesë në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Tiranës në ambientet e Politeknikut. “Ju jeni europianë”! Kështu iu drejtua studentëve të Universitetit të Tiranës shefja e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Ajo tha se BE është e paplotë pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Gjatë 25 viteve të fundit lidhjet tona janë bërë më të forta. Ju jeni europianë, Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. Ajo që duam ne është që Shqiupëoria të bëhet pjesë e BE. Ky është slogani, ky është programi me të cilin ne po punojmë dita-ditës. BE s’ka për të qenë i plotë dersai të integrohet Ballkani Perëndimor. Dera e BE është e hapur për ju, për rajonin tuaj, jo vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni”, u shpreh Mogherini. Debati dhe betejat të zhvillohen brenda Kuvendit, jo jashtë tij. Ky është mesazhi i shefes së BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini për opozitën. Gjatë bashkëbisedimit me studentë të Universitetit të Tiranës, Mogherini u shpreh se “debati dhe betejat të zhvillohen brenda Kuvendit”. Mogherini rikthehet në Shqipëri ekzaktësisht pas një viti. Në 3-4 mars të një viti më parë ajo ishte në Tiranë ku i bëri thirrje opozitës dhe maxhorancës të gjejnë konsensusin për Reformën në Drejtësi.