
Në mesin e mijëra pushuesve që çdo sezon turistik mbushin bregdetin e Shëngjinit, pak kush e di se mes tyre është edhe një njeri që ka shpëtuar jetë disa here. Quhet Shefqet Hoxha, është me origjinë nga Kosova dhe me profesion infermier. Prej më shumë se 20 vitesh ai zgjedh të pushojë në këtë qytet bregdetar, por pushimet e tij shpesh janë kthyer në misione për të ruajtur jetën e të tjerëve.Edhe këtë verë, ndërhyrja e tij ka qenë vendimtare për disa pushues, të cilët falë ndihmës së tij të menjëhershme, sot janë pranë familjeve të tyre.
Shefqeti kalon rreth katër muaj në vit në Shëngjin, ku ka edhe banesën e tij, dhe tashmë ka vendosur që vitin e ardhshëm të pajiset me mjete të ndihmës së parë për të qenë edhe më i përgatitur për raste emergjente.
Në një kohë kur shpesh flasim për mungesë solidariteti dhe indiferencë shoqërore, Shefqet Hoxha mbetet një shembull pozitiv për rolin që çdo individ mund të luajë në situata emergjente, edhe jashtë profesionit apo detyrës zyrtare.






