
Vijon në Shkodër aksioni i Bashkisë për lirimin e hapësirave publike dhe sistemimin e ambienteve pranë institucioneve arsimore. Diten e sotme ka nisur puna për transformimin e sheshit pranë shkollës “Martin Camaj”, ku mësojnë rreth 250 nxënës dhe ndodhet edhe kopshti i zonës.
Ndërhyrjet e para kanë nisur me prishjen e disa objekteve dhe rrethimeve përreth godinës së shkollës, duke i hapur rrugë rikualifikimit të plotë të këtij territori. Projekti i Bashkisë Shkodër parashikon rikualifikimin e sheshit, sistemimin e rrugëve lidhëse në të dyja anët, si dhe krijimin e hapësirave të reja për fëmijët dhe banorët.
Aksioni synon çlirimin e hapësirave të zëna dhe rikthimin e tyre në funksion të komunitetit, duke krijuar një ambient më të lirë dhe më të aksesueshëm për nxënësit dhe banorët e zonës. Bashkia Shkodër ka vijuar gjatë ditëve të fundit ndërhyrjet në zona të ndryshme të qytetit, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe rregullimin e territoreve pranë shkollave dhe institucioneve të tjera.


