Tre deputetët të Parlamentit Europian kanë ngritur disa shqetësime në Komisionin Europian sa i takon çështjes së shembjes së Teatrit Kombëtar.

Lidia Pereira (EPP), Maria da Graça Carvalho (EPP), Claudia Monteiro de Aguiar (EPP), eurodeputetë të grupimit parlamentar të Partisë Popullore Europiane i kanë parashtruar KE-së dy pyetje, që lidhen me faktin nëse ishin në dijeni të arrestimit të protestuesve për Teatrin si dhe për impaktin që ky veprim ka mbi politikën e fqinjësisë shqiptare dhe hapjen e negociatave. Sipas tyre liria e shprehjes është dhunuar në këtë rast.

“Bashkimi Europian ka një politikë fqinjësie të rrënjosur në bashkëpunimin politik, mbështetjen për zhvillimin ekonomik e social dhe mbrojtjen e vlerave që përkufizojnë projektin europian. Siç u pa edhe tek samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor në 6 Maj (e cila rezultoi në një paketë ndihme prej 3 miliard eurosh), afrimiteti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor është një shembull shumë i mirë i kësaj politike, e cila përfshin 6 vende kandidate bashkë me Shqipërinë.

Në 17 Maj, autoritetet shqiptare shkatërruan Teatrin Kombëtar në Tiranë, një ndërtesë e vlerësuar nga Europa Nostra si një prej shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë. Shembja e ndërtesës u dënua nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga shumë institucione shqiptare dhe europiane. Forcat shqiptare të sigurisë arrestuan me dhjetëra protestues, gjatë shembjes, përfshirë këtu edhe figura politike, gazetarë dhe aktivistë. Liria e shprehjes është një prej shtyllave të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këto liri janë dhunuar.
A mund të përgjigjet Komisioni Europian për:
1 – A është Komisioni në dijeni për mënyrën se si janë arrestuar protestuesit?
2 – Çfarë impakti pret Komisioni që të ketë ky veprim mbi politikën e fqinjësisë shqiptare dhe hapjen e negociatave?”, thuhet në reagimin e 3 eurodeputetëve.