
Në një kohë kur plazhet e Shëngjinit kanë nisur të boshatisen dhe temperaturat janë më të ulëta, në Ranën e Hedhun vijojnë të mbërrijnë turistë të huaj.Ata kanë zgjedhur të udhëtojnë me kampera, duke ndaluar në këtë zonë për të shijuar natyrën, detin dhe qetësinë që ofron Rana e Hedhun gjatë muajve të vjeshtës.
Ndryshe nga muajt e verës, kur Shëngjini përfshihet nga një fluks i madh pushuesish, tetori ofron një tjetër atmosferë. Më pak lëvizje, më shumë qetësi dhe temperatura më të përshtatshme për udhëtime e eksplorime kanë bërë që turistët që udhëtojnë me kampera të zgjedhin këtë periudhë për të vizituar bregdetin shqiptar.
Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, në Ranën e Hedhun vijojnë të ofrohen shërbime për turistët që zgjedhin të qëndrojnë ne kete zone turistike.
Prania e vizitorëve në këtë periudhë tregon se Shëngjini po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajt e verës.


