
Shërbimet e-Albania tashmë me asistencë falas pranë Bashkisë Shkodër
Që nga dita e sotme, të gjitha shërbimet e platformës e-Albania do të ofrohen me asistencë falas pranë një sporteli të dedikuar në ambientet e Bashkisë Shkodër.
Ky shërbim vjen pas udhëzimit të Ministrisë së Drejtësisë për mbylljen e të gjitha zyrave private që ofronin asistencë për këto shërbime.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se ky sportel i ri është krijuar për të garantuar ndihmë profesionale dhe të paanëshme për çdo qytetar. Shërbimi do të ofrohet nga një staf i kualifikuar, i cili do të asistojë qytetarët në përdorimin e platformës, si pjesë e angazhimit për një administratë më transparente dhe më pranë qytetarëve.
Ky vendim bazohet në udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë, i cili ka theksuar se ofrimi i ndihmës për shërbimet e e-Albania duhet të jetë falas, pa pagesë, dhe vetëm nga institucione publike, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe tarifat e pajustifikuara të zyrave private.






