Nuk bëhet më fjalë për sherre të zakonshme mes të miturve, kur në konflikt përfshihen edhe armë të ftohta. Përplasjet mes nxënësve të shkollave të mesme vijojnë të mbeten një shqetësim serioz, ndërsa një tjetër rast është regjistruar të premten në Shkodër.

Sipas burimeve, nxënës nga zona e Vau-Dejës, pas përfundimit të orarit mësimor, kishin lënë takim për të sqaruar një konflikt të nisur më herët, pranë vendqëndrimit të furgonëve me të cilët udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës. Në pamjet filmike të siguruara shihen dy grupe adoleshentësh që përplasen fillimisht me grushte, ndërsa situata përshkallëzohet kur një prej tyre nxjerr një thikë.

I riu, pasi vendos kapuçin e xhaketës, tenton të sulmojë rivalët me thikë, e cila sipas pamjeve është e përmasave të një arme të ftohtë luftarake. Për fat të mirë, nga përdorimi i saj nuk pati persona të plagosur, ndërsa përplasja vijoi kryesisht me grushte. Ndërhyrja e një qytetareje bëri që konflikti të ndërpritej dhe të shmangeshin pasoja më të rënda.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, por burimet bëjnë me dije se ka munguar bashkëpunimi për dhënien e informacionit, si nga nxënësit e pranishëm, ashtu edhe nga drejtuesit e furgonëve. Për rastin është informuar edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, i cili mësohet se po e ndjek personalisht hetimin.

Nga verifikimet paraprake rezulton se konflikti kishte nisur disa ditë më parë, ndërsa vetëm një javë më parë, pranë gjimnazit “Shejnaze Juka” në Shkodër, u regjistrua një tjetër përplasje mes adoleshentësh, ku dy prej tyre mbetën të plagosur. Ngjarjet e përsëritura ngrenë alarmin për përshkallëzimin e dhunës mes të miturve dhe përdorimin e armëve të ftohta në ambientet pranë shkollave.

Artikulli paraprakBESËLIDHJA FITON 2-0 NDAJ NAFTËTARIT
Artikulli tjetërTRAGJIKE NË LEZHË,VDES DJALI,NËNË MBYT VETEN